04.02.2014

Takim me Shoqatën e Handikapëve dhe Invalidëve

Shoqata e Personave me Handikap dhe Aftësi të Kufizuara, e udhëhequr nga Kryetari, z. Agim Vatovci, vizitoi sot Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK). Z. Vatovci, bashkë me kolegët e tij, u prit nga Kryesuesi i Bordit Drejtues, z. Ymer Havolli, dhe Drejtori Menaxhues, z. Adrian Zalli.

Z. Havolli i informoi përfaqësuesit e kësaj shoqate për misionin e FKPK-së, për performancën investuese dhe aktivitetin e përgjithshëm operues të FKPK-së.

Nga ana tjetër, z. Vatovci, në emër të Shoqatës u interesua për mundësinë e tërheqjes së kursimeve pensionale nga personat me handikap dhe me aftësi të kufizuara. Për këtë z. Zalli i njoftoi me rregullat e tërheqjes së kursimeve pensionale bazuar në Ligjin për Fondet Pensionale dhe rregullat e BQK-së. Bazuar në këtë legjislacion, njoftoi z. Zalli, kontribuuesit mund t’i tërheqin mjeteve vetëm në rast të: pensionimit (mosha 65-vjeçare), humbjes së aftësive për punë, pra invaliditetit, dhe në rast të vdekjes. Aktualisht tërheqja e mjeteve nga personat që humbin aftësitë për punë, ose invalidët, bëhet vetëm pasi që një kontribuues merr nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale vërtetimin për humbjen e aftësive për punë. Bazuar në këtë vërtetim FKPK-ja ia transferon mjetet e kursyera sipas rregullit: për llogaritë me gjendje deri 2 mijë euro e gjitha shuma transferohet menjëherë, dhe për llogaritë mbi 2 mijë euro transferohet nga 150 euro çdo muaj, derisa e gjithë shuma të shterojë.

Takimi u mbyll me falënderimin e Shoqatës për mundësinë e dhënë për sqarime dhe informacion, dhe gatishmërinë e FKPK-së për të komunikuar në vazhdimësi me përfaqësuesit e Shoqatës.