+227 milionë euro kthimi nga investimet për 2021
Prishtinë, 11 janar 2022 – Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (FKPK) e përmbylli vitin 2021 me rezultat shumë të kënaqshëm nga investimet, me kthimin bruto që kapi shumën prej +227 milionë euro. Kjo shifër nominale është më e larta prej themelimit të institucionit. Ndërsa rritja e çmimit të njësisë për këtë vit ishte 10.65%, krahasuar me rritjen prej +3.03% për vitin 2020.
Në total mjetet pensionale u rritën me 365 milionë euro këtë vit, duke shkuar në 2.35 miliardë euro. Në fund të 2021-s rreth 77% e mjeteve nën menaxhim ishin të investuara në tregjet financiare ndërkombëtare, kurse pjesa tjetër në Kosovë – sipas kritereve të përcaktuara me ligj. Investimet në tregjet financiare ndërkombëtare vazhdojnë të kontribuojnë me rreth 95% në totalin e performancës investuese.
Sikurse kërkohet në parimet e vendosura në Ligjin mbi Fondet Pensionale dhe bazuar në strategjinë investuese të FKPK-së, Bordi Drejtues përgjatë vitit 2021, i ndihmuar nga menaxhmenti e stafi profesional i FKPK-së, ka ndërmarrë mbi 40 vendime për alokime të ndryshme të mjeteve pensionale. Duke konsideruar se 2021-shi ishte vit i afektuar nga pandemia, luhatshmëria në tregjet financiare dhe lëvizjet e ndryshme makroekonomike, strategjia investuese e FKPK-së është adaptuar në baza të rregullta, duke angazhuar edhe fonde të reja, për të mbajtur likuiditetin, sigurinë dhe diversifikimin e portofolit.
Pritjet janë që viti 2022 të ketë luhatshmëri të lartë për shkak të pandemisë, vonesave në zinxhirin furnizues, inflacionin, rritjen e kamatave nga bankat qendrore dhe faktorët e tjerë gjeostrategjikë. Rrjedhimisht Bordi Drejtues mbetet i përkushtuar që të veprojë sipas kushteve dhe lëvizjeve në tregjet financiare.
Të dhënat e kthimit bruto nga investimet në tri vjetët e fundit
Viti | Kthimi nominal | Çmimi i njësisë në fundviti | Ndryshimi neto në çmimin e njësisë |
2019 | +€161 mln | €1.5106 | +8.90% |
2020 | +€72 mln | €1.5564 | +3.03% |
2021 | +€227 mln | €1.7222 | +10.65% |
Në fushën e operacioneve, përkundër që në rrethana pandemie, institucioni ka arritur t’i ofrojë të gjitha shërbimet, pa qëndruar asnjë ditë i mbyllur.
Këtë vit për pensionimin e 5,400 përfituesve u paguan 68 milionë euro, ndërsa prej themelimit janë shpaguar 321 milionë euro për 64 mijë përfitues.
Përveç detyrave ditore, si për shërbimet në zyrë ashtu edhe ato në distancë, stafi është angazhuar në ndërtimin e platformës së re, nga burimet e brendshme profesionale, për menaxhimin e llogarive. Kjo do t’i japë institucionit përparësi të shumta në afatgjatë: prej pronësisë së kodit burimor, menaxhimit më të lehtë të llogarive dhe avancimeve shtesë, mos varësinë për këtë shërbim thelbësor por edhe uljen e kostove për mirëmbajtjen e zhvillimin e kësaj platforme.
Po ashtu gjate vitit 2021 Kuvendi i Kosovës i ka miratuar unanimisht raportet vjetore dhe taksat menaxhuese të propozuara nga FKPK-ja.
E thënë përmbledhur, Bordi Drejtues është i bindur se kemi lënë pas një vit shumë të rëndësishëm për institucionin, si në fushën e investimeve ashtu edhe të operacioneve, por edhe me përplot sfida.
Në vijim janë prezantuar disa nga treguesit me të rëndësishëm për vitin 2021 krahasuar me vitin 2020.
TREGUESIT | Më 31 dhjetor 2020 | Më 31 dhjetor 2021 |
Kthimi vjetor bruto nga investimet | €72 milionë | €227 milionë |
Mjetet neto nën menaxhim | €1,988,073,030 | €2,353,174,911 |
Çmimi i njësisë në fundviti | €1.5572 | €1.7222 |
Kontribute të arkëtuara për vitin | €188 milionë | €212 milionë |
Pagesa të pensioneve për vitin | €50 milionë | €68 milionë |
Llogari të kontribuuesve | 707,388 | 752,523 |
Fletobligacione të Kosovës | €451 milionë | €490milionë |
Depozita me bankat në Kosovës | €130 milionë | €45 milionë |
Tarifa për investime / operacione | 0.33% / 0.065% | 0.32% / 0.065% |