23.11.2021

Kuvendi i Kosovës e miratoi Raportin Vjetor 2020

Kuvendi i Kosovës, në seancën e mbajtur më 22 nëntor 2021, e ka shqyrtuar Raportin Vjetor 2020 të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK).

Raporti është prezantuar në Kuvend nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere. Anëtarët e këtij Komisioni e kishin diskutuar dhe miratuar unanimisht këtë raport në nivel të Komisionit, andaj i rekomanduan edhe Kuvendit miratimin.

Deputetët e deklaruar në seancë e vlerësuan tejet kënaqshëm përmbajtjen dhe përgatitjen e këtij raporti, duke e vënë në pah performancën e investimeve gjatë vitit 2020 në kushtet e situatës pandemike. Po ashtu u vlerësua edhe shërbimi i ofruar pa ndërprerje dhe mbrojtja e interesit të kontribuuesve në afatgjatë. Në fund, deputetët e votuan unanimisht raportin.

Në këtë seancë, deputetët e shqyrtuan dhe i votuan taksat menaxhuese për vitin 2021.

Bordi Drejtues dhe Menaxhmenti i FKPK-së e çmojnë këtë vlerësim dhe mbështetje nga institucioni më i lartë vendimmarrës në vend.