02.07.2020

Çështja e 10%-shit: FKPK-ja në takim me Kryeministrin e Kosovës

Prishtinë, 2 korrik 2020 – anëtarë të Bordit Drejtues dhe Menaxhmentit të FKPK-së, kanë zhvilluar dje, më 1 korrik 2020, një takim konsultues me Kryeministrin e vendit, z. Avdullah Hoti. Temë e takimit ishte plani i Qeverisë për t’ju dhënë mundësinë kontribuuesve të tërheqin 10% të bilancit të tyre të kursimeve pensionale nga FKPK-ja. Në takim morën pjesë edhe Ministrja e Financave si dhe Guvernatori dhe Zëvendësguvernatori i BQK-së.

Kryesuesi i Bordit Drejtues theksoi në takim se ekzistojnë modalitete dhe alternativa të tjera që do të mundësonin arritjen e synimeve të Qeverisë – që është rritja e kërkesës agregate në vend – dhe se këto alternativa do të ishin më efektive, në veçanti nga këndvështrimi i operacionalizimit, respektivisht implementimit në praktikë të propozimit ekzistues. Tutje, Kryesuesi i Bordit Drejtues të FKPK-së elaboroi propozimet që do të mund të kontribuonin në mbështetje të ekonomisë së vendit, në këtë kohë mjaft sfiduese.
Nga ana tjetër, Kryeministri i vendit, z. Hoti, konfirmoi se mundësia e tërheqjes së 10%-shit është pjesë e planit të punës të Qeverisë dhe ngelet vetëm përgatitja teknike për implementim. Ai po ashtu ka deklaruar se FKPK-ja duhet të shikojë mundësitë për të zgjeruar kapacitetet operuese për ta përballuar zbatimin e këtij plani të tërheqjes.

Lidhur me përgatitjen e zbatimit të këtij plani në këtë takim është deklaruar edhe Ministrja e Financave, znj. Hykmete Bajrami, e cila ka thënë se grupet punuese do të fillojnë punën menjëherë që të përgatisin bazën ligjore për paraqitje për miratim nga Qeveria, dhe më pas edhe procedim të këtij propozimi për shqyrtim në Kuvend. Znj. Bajrami po ashtu ka deklaruar se nuk janë në favor të mbajtjes së tatimit në shumën e tërhequr, por njëherësh nuk do të ketë kompensim nga qeveria për shumën e tërhequr.

FKPK-ja, me këtë rast, rideklaron qëndrimin se është dakord për të shqyrtuar të gjitha mundësitë për të ndihmuar tejkalimin e situatës së rëndë ekonomike-sociale në vend, gjithnjë duke pasur si primare interesin afatgjatë të kontribuuesve dhe vetë skemës pensionale.

FKPK-ja do t’i mbajë të informuar kontribuuesit për zhvillimet e reja me kohë dhe përmes të gjitha kanaleve të komunikimit.