€32 mln kthimi bruto për 6-mujorin e parë
FKPK-ja e përfundoi gjysmën e parë të vitit 2014 me një rezultat tejet të kënaqshëm të kthimit nga investimet në tregjet financiare globale. Vetëm nga investimi i mjeteve u bë e mundur që vlera e kursimeve pensionale të kontributdhënësve kosovarë të rritet bruto për 32 milionë euro. Ky është gjithsesi një rezultat shumë i kënaqshëm, dhe Bordit Drejtues e Menaxhmenti i FKPK-së shprehin kënaqësinë t’ia komunikojnë kontribuuesve këtë lajm.
Performanca e investimeve të FKPK-së erdhi kryesisht nga investimet në fondet investuese të tregut të aksioneve, por që të gjitha fondet investuese patën performancë pozitive në këtë periudhë. Tregjet financiare u ndikuan pozitivisht nga treguesit ekonomikë në përmirësim dhe mbështetja përmes lehtësirave monetare në SHBA dhe BE.
Përveç investimeve në tregjet financiare globale, në fund të këtij gjashtëmujori FKPK-ja i kishte të investuara në Letrat me Vlerë të Qeverisë së Kosovës rreth 64 milionë euro. Ndikimi i investimeve në Kosovë në kthimin bruto nga investimet për gjashtëmujorin e parë ishte në shifrën e 456 mijë eurove.
FKPK kapë shifrën e 1 miliard eurove
Përveç performancës së investimeve FKPK-ja vazhdoi të ketë prurje shumë të kënaqshme të kontributeve pensionale që grumbullohen nga të punësuarit në vend, dhe vlera e mjeteve të akumuluara shkoi në 62 milionë euro. Së bashku, kontributet e akumuluara plus kthimi nga investimet, bënë që mjetet nën menaxhim të rriten për 83 milionë euro dhe të arrijnë në 996 milionë euro (fundviti 2013: 913 milionë); kjo pasi që FKPK-ja pagoi edhe 11 milionë euro për pensione, tarifën menaxhuese dhe refondimet. Ka rëndësi të përmendet këtu se menjëherë pas mbarimit të gjashtëmujorit të parë, më saktë më 2 korrik 2014, FKPK-ja për herë të parë prej themelimit tejkaloi shifrën prej 1 miliard euro mjete nën menaxhim, që është një simbolikë pozitive e zhvillimit të këtij institucioni 12 vjet pas themelimit.
Strategjia investuese
Kujtojmë se Bordi Drejtues i FKPK-së në fund të 2013-s kishte miratuar strategjinë e re investuese, e cila ka për synim kryesor kalimin nga stadi i diversifikimit të riskut në stadin e menaxhimit të riskut, në mënyrë që investimet e FKPK-së të mbrohen sa më mirë në ciklin rënës të tregjeve. Pas kryerjes së përzgjedhjes së fondeve investuese, në fund të kësaj periudhe raportuese janë shtuar edhe dy fonde të reja investuese përmes menaxhuesit Nordea: njëri në tregun e aksioneve (me 30 milionë euro), dhe tjetri në tregun e multi-aseteve (me 40 milionë euro). Këto investime prej 70 milionë euro pritet të pasohen edhe me investime të tjera gjatë TM3 për të përmbushur kështu plotësisht strategjinë e re investuese.
Pensionet e shpaguara
FKPK-ja për këtë gjysmë viti ka shpaguar rreth 8 milionë euro në emër të 2,429 përfituesve të pensionit. Për të njëjtën periudhë të një viti më parë ishin shpaguar 5.7 milionë euro në emër të 2,013 përfituesve. Prej themelimit e deri në fund të gjashtë mujorit të parë 2014 FKPK-ja ka shpaguar rreth 47 milionë euro në emër të 22,932 përfituesve.
Tabela: Treguesit kryesorë të aktivitetit të FKPK-së në gjashtëmujorin e 2014 dhe 2013
Treguesit kryesorë |
Më 30.06.2014 |
Më 30.06.2013 |
Mjetet nën menaxhim |
€996,397,044.26 |
€803,277,493.71 |
Rritja e mjeteve nën menaxhim |
83 milionë euro |
63 milionë euro |
Çmimi i aksionit |
€1.2493 |
€1.1405 |
Kthimi nga investimet |
32 milionë euro |
17 milionë euro |
Pensione të shpërndara |
8 milionë euro |
5.7 milionë euro |
Kontributet e akumuluara |
62 milionë euro |
55 milionë euro |