06.03.2018

Udhëheqës të FKPK-së presin në takim drejtuesit e USAID-it për Kosovë

Më 5 mars 2018 drejtues të Agjencisë së SHBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) i bënë vizitë Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK). Vizitës së USAID i printe z. James Hope, Drejtor i Misionit të USAID në Kosovë, i shoqëruar nga z. Brian Martalus, Drejtor i Zyrës për Zhvillim Ekonomik, dhe znj. Dardane Peja, specialiste për menaxhimin e projekteve. Nga ana e FKPK-së në takim i pritën z. Ymer Havolli, Kryesues i Bordit Drejtues të FKPK-së, i shoqëruar nga z. Hajdar Korbi, anëtar i Bordit Drejtues, nga z. Valdrin Kasumaj, anëtar i Bordit Drejtues si dhe nga z. Adrian Zalli, Drejtor Menaxhues i FKPK-së.

Havolli, pasi i uroi mirëseardhjen përfaqësuesve të USAID-it, iu shprehu falënderimin dhe mirënjohjen që FKPK-ja ka për ndihmën e çmuar e të jashtëzakonshme që USAID-i ka dhënë për themelimin dhe zhvillimin e këtij institucioni. Ai po ashtu i njoftoi shkurtimisht mysafirët me zhvillimin e institucionit prej themelimit e deri në fund të 2017, duke theksuar se performanca nga investimet, e bazuar në strategjinë e investimeve, po vazhdon të japë rezultate pozitive duke bërë që vetëm vitin e fundit, pra më 2017, kthimi bruto nga investimet të jetë mbi 100 milionë euro. Z. Havolli i njoftoi drejtuesit e USAID edhe me të dhënat e tjera të rëndësishme lidhur me aktivitetin e institucionit; përfshirë numrin e kontribuuesve, pensionimeve, aspekteve investuese dhe raporteve që FKPK-ja ka me institucionet mbikëqyrëse.

Nga ana e tij z. Hope, duke falënderuar për mikpritjen, e çmoi lart historikun dhe rëndësinë e këtij institucioni për Kosovën, duke e vlerësuar si një shembull pozitiv dhe të suksesshëm të ngritjes dhe pjekjes së vazhdueshme të këtij institucioni prej themelimit (para 16 vjetësh). Më tej, z. Hope u interesua edhe për të dhëna konkrete rreth zhvillimit të institucionit, përfshirë investimet, grupmoshën e kontribuuesve dhe mandatin e anëtarëve të Bordit, për të cilat edhe u informua nga përfaqësuesit e FKPK-së. Në fund z. Hope tha se FKPK-ja është ndër projektet më të suksesshme të USAID në Kosovë dhe se duhet të vazhdohet me ruajtjen e pavarësisë vendimmarrëse të këtij institucioni.

Takimi u mbyll në frymë një tejet pozitive të vlerësimit reciprok, me dëshirën që bashkëpunimi dhe komunikimi të avancohet edhe më tej në të ardhmen.

Delegacioni i USAID-it në përbërje (nga e majta në të djathtë): z. Brian Martalus (Drejtor i Zyrës për Zhvillim Ekonomik), z. James Hope (Drejtor i Misionit të USAID në Kosovë), znj. Dardane Peja (specialiste për menaxhimin e projekteve)

Takimi_USAID_deleg

Delegacioni i FKPK-së në përbërje (nga e majta në të djathtë): z. Hajdar Korbi (anëtar i Bordit Drejtues), z. Ymer Havolli (Kryesues i Bordit Drejtues), z. Adrian Zalli, Drejtor Menaxhues dhe z. Valdrin Kasumaj (anëtar i Bordit Drejtues)

Takimi me USAID_FKPK