€29.6 mln kthimi bruto nga investimet më 2015
Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) e mbylli edhe vitin 2015 me performancë pozitive të mjeteve të investuara. Kthimi bruto nga investimet e bëra, kryesisht në tregjet financiare globale, ishte 29.6 milionë euro. Si rezultat i kësaj performance nga investimet çmimi i aksionit arriti në 1.3171 euro, ose i rritur për 2.27% për vitin.
Peformanca e investimeve mund të vlerësohet pozitivisht duke pasur parasysh një sërë sfidash dhe krizash që tregjet financiare i kaluan gjatë vitit. Vështirësitë e rritjes ekonomike në Kinë, si zona ekonomike me peshë në tregtinë ndërkombëtare; rritja e tensioneve politike mes Perëndimit e Rusisë dhe tkurrja e qarkullimit të kapitalit dhe tregtisë nga sanksionet ekonomike; mbyllja e programit të lehtësirave monetare në SHBA dhe rënia e fortë e çmimit të naftës, si burim kryesor i zhvillimit ekonomik të shumë shteteve, ishin faktorët kryesorë që penguan përmirësimin e mëtejmë të tregjeve financiare dhe dekurajuan investitorët.
Faktet kyçe
Në fund 2015-s mjetet neto që FKPK-ja i kishte nën menaxhim ishin 1.23 miliardë euro, ose një rritje prej 141.6 milionë euro nga fundviti i 2014-s. Përmirësim kishte edhe në kontributet e arkëtuara, të cilat shkuan në 137.5 milionë (2014: 128.8 milionë euro) që ishin një vit më parë. Gjithashtu edhe numri i kontribuuesve aktivë vazhdoi të rritet dhe arriti në 297,303 kontribuues (2014: 295,914); ndërsa numri i kontribuuesve që kanë llogari të kursimeve pensionale prej themelimit të FKPK-së arriti në 507,771 (2014: 476,560).
Ndërkohë vlera e pensioneve të shpërndara për 2015 arriti në 19.2 milionë euro (2014: 14.3 milionë euro), dhe numri i të pensionuarve në 4,610 (2014: 4,049).
Përmbledhja e fakteve më të rëndësishme për dy vjetët e fundit prezantohen në tabelën në vijim.
Faktet | Më 31 dhjetor 2015 | Më 31 dhjetor 2014 |
Kthimi bruto nga investimet për vitin | €29.6 milionë | €66.7 milionë |
Mjetet neto nën menaxhim | €1,229,333,327.33 | €1,087,760,598.03 |
Çmimi i aksionit | €1.3171 | €1.2879 |
Kontribute të arkëtuara gjatë vitit | €137.5 milionë | €128.8 milionë |
Pensione të shpërndara gjatë vitit | €19.2 milionë | €14.3 milionë |
Të pensionuar gjatë vitit | 4,610 | 4,049 |
Llogari të kontribuuesve | 507,963 | 476,560 |
Kontribuues aktivë | 297,466 | 285,914 |
Investimet në Kosovë në fund të vitit | €95,654,197 | €54,701,478 |
Shërbime të ofruara | 72,266 | 59,030 |
Taksa operacionale | 0.085% | 0.13% |
Pasqyra të llogarive që u dërgohen kontribuuesve | 394 mijë | 432 mijë |
Pensione të shpërndara prej themelimit | €71.4 milionë | €52.2 milionë |
Të pensionuar prej themelimit | 29,162 | 24,552 |