28.01.2016

€29.6 mln kthimi bruto nga investimet më 2015

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) e mbylli edhe vitin 2015 me performancë pozitive të mjeteve të investuara. Kthimi bruto nga investimet e bëra, kryesisht në tregjet financiare globale, ishte 29.6 milionë euro. Si rezultat i kësaj performance nga investimet çmimi i aksionit arriti në 1.3171 euro, ose i rritur për 2.27% për vitin.

Peformanca e investimeve mund të vlerësohet pozitivisht duke pasur parasysh një sërë sfidash dhe krizash që tregjet financiare i kaluan gjatë vitit. Vështirësitë e rritjes ekonomike në Kinë, si zona ekonomike me peshë në tregtinë ndërkombëtare; rritja e tensioneve politike mes Perëndimit e Rusisë dhe tkurrja e qarkullimit të kapitalit dhe tregtisë nga sanksionet ekonomike; mbyllja e programit të lehtësirave monetare në SHBA dhe rënia e fortë e çmimit të naftës, si burim kryesor i zhvillimit ekonomik të shumë shteteve, ishin faktorët kryesorë që penguan përmirësimin e mëtejmë të tregjeve financiare dhe dekurajuan investitorët.


Faktet kyçe

Në fund 2015-s mjetet neto që FKPK-ja i kishte nën menaxhim ishin 1.23 miliardë euro, ose një rritje prej 141.6 milionë euro nga fundviti i 2014-s. Përmirësim kishte edhe në kontributet e arkëtuara, të cilat shkuan në 137.5 milionë (2014: 128.8 milionë euro) që ishin një vit më parë. Gjithashtu edhe numri i kontribuuesve aktivë vazhdoi të rritet dhe arriti në 297,303 kontribuues (2014: 295,914); ndërsa numri i kontribuuesve që kanë llogari të kursimeve pensionale prej themelimit të FKPK-së arriti në 507,771 (2014: 476,560).

Ndërkohë vlera e pensioneve të shpërndara për 2015 arriti në 19.2 milionë euro (2014: 14.3 milionë euro), dhe numri i të pensionuarve në 4,610 (2014: 4,049).

Përmbledhja e fakteve më të rëndësishme për dy vjetët e fundit prezantohen në tabelën në vijim.

Faktet Më 31 dhjetor 2015 Më 31 dhjetor 2014
Kthimi bruto nga investimet për vitin €29.6 milionë €66.7 milionë
Mjetet neto nën menaxhim €1,229,333,327.33 €1,087,760,598.03
Çmimi i aksionit €1.3171 €1.2879
Kontribute të arkëtuara gjatë vitit €137.5 milionë €128.8 milionë
Pensione të shpërndara gjatë vitit €19.2 milionë €14.3 milionë
Të pensionuar gjatë vitit 4,610 4,049
Llogari të kontribuuesve 507,963 476,560
Kontribuues aktivë 297,466 285,914
Investimet në Kosovë në fund të vitit €95,654,197 €54,701,478
Shërbime të ofruara 72,266 59,030
Taksa operacionale 0.085% 0.13%
Pasqyra të llogarive që u dërgohen kontribuuesve 394 mijë 432 mijë
Pensione të shpërndara prej  themelimit €71.4 milionë €52.2 milionë
Të pensionuar prej themelimit 29,162 24,552